| Chapter 12 |
1 |
Miriami dhe Aaroni iu kundërvunë Moisiut me fjalë për shkak të gruas etiopase me të cilën qe martuar; në fakt ai qe martuar me një grua etiopase.
|
2 |
Dhe i thanë: "Mos vallë Zoti ka folur vetëm me anë të Moisiut? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?". Dhe Zoti dëgjoi.
|
3 |
(Sepse Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut).
|
4 |
Zoti u tha menjëherë Moisiut, Aaronit dhe Miriamit: "Ju të tre dilni dhe shkoni në çadrën e mbledhjes". Kështu ata të tre dolën.
|
5 |
Atëherë Zoti zbriti në një kolonë reje, u ndal në hyrjen e çadrës dhe thirri Aaronin dhe Miriamin; që të dy i erdhën përpara.
|
6 |
Pastaj Zoti tha: "Dëgjoni tani fjalët e mia! Në se ka një profet midis jush, unë, Zoti i bëhem i njohur atij në vegim, flas me të në ëndërr.
|
7 |
Por nuk veproj kështu me shërbëtorin tim Moisi, që është besnik në tërë shtëpinë time.
|
8 |
Me të unë flas sy për sy, duke bërë që ai të më shohë, dhe jo me shprehje të errëta; dhe ai sodit dukjen e Zotit. Pse nuk keni pasur frikë të flisni kundër shërbëtorit tim, kundër Moisiut?".
|
9 |
Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre, pastaj ai u largua.
|
10 |
Kur reja u tërhoq nga pjesa e sipërme e çadrës, Miriami ishte bërë lebroze e bardhë si bora; Aaroni e shikoi Miriamin, dhe ja, ajo ishte lebroze.
|
11 |
Aaroni i tha Moisiut: "O zoti im, mos na ngarko me fajin që kemi kryer nga budallallëku dhe mëkatin që kemi bërë.
|
12 |
Mos lejo që ajo të jetë si një e vdekur, mishi i së cilës është gjysmë i konsumuar kur del nga barku i nënës së saj!".
|
13 |
Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Shëroje, o Perëndi, të lutem!".
|
14 |
Atëherë Zoti iu përgjegj Moisiut: "Po ta kishte pështyrë i ati në fytyrë, nuk do të ishte ndofta e turpëruar shtatë ditë? Izolojeni, pra, jashtë kampit shtatë ditë; pastaj pranojeni përsëri".
|
15 |
Miriamin e izoluan jashtë kampit për shtatë ditë; dhe populli nuk e filloi marshimin e tij deri sa Miriami të ripranohej në kamp.
|
16 |
Pastaj populli u nis nga Hatserothi dhe ngriti kampin e tij në Paran.
|