Albanian Bible

Gjyqtarët 8

Gjyqtarët

Return to Index

Chapter 9

1


 

   Abimeleku, bir i Jerubaalit, shkoi në Sikem te vëllezërit e nënes së tij dhe foli me ta dhe me gjithë familjen e atit të nënes së tij, duke thënë:  

 

 


2


 

   "U thoni gjithë banorëve të Sikemit: "Ç`është më e mirë për ju, që të gjithë shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit të mbretërojnë mbi ju, apo të mbretërojë mbi ju vetëm një?". Dhe mos harroni që unë rrjedh nga kocka dhe mishi juaj".  

 

 


3


 

   Vëllezërit e nënes së tij i përhapën këto fjalë të tij tërë banorëve të Sikemit; dhe zemra e tyre anoi në dobi të Abimelekut, sepse thanë: "Éshtë vëllai ynë".  

 

 


4


 

   Kështu i dhanë shtatëdhjetë sikla argjendi, që i tërhoqën nga tempulli i Baal-Berithit, me të cilat Abimeleku rekrutoi njerëz pa kurrfarë vlere, por trima; dhe ata i shkuan pas.  

 

 


5


 

   Pastaj ai shkoi në shtëpinë e atit të tij në Ofrah dhe vrau mbi po atë gur vëllezërit e tij, të shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit. Por Jothami biri më i vogël i Jerubaalit, shpëtoi sepse ishte fshehur.  

 

 


6


 

   Atëherë tërë banorët e Sikemit dhe tërë shtëpia e Milos u mblodhën dhe shkuan ta shpallin mbret Abimelekun, pranë lisit të monumentit që gjendet në Sikem.  

 

 


7


 

   Kur Jothami u informua për këtë gjë, shkoi dhe zuri në majën e malit Gerezim dhe, duke ngritur zërin, thirri: "Dëgjomëni, banorë të Sikemit, dhe Perëndia të mund t`ju dëgjojë!  

 

 


8


 

   Një ditë drurët u nisën për të vajosur një mbret që të mbretëronte mbi ta; dhe i thanë ullirit: "Mbretëro mbi ne".  

 

 


9


 

   Por ulliri u përgjegj me këto fjalë: "A duhet të heq dorë nga vaji im metë cilin Perëndia dhe njerëzit nderohen, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".  

 

 


10


 

   Atëherë drurët i thanë fikut: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".  

 

 


11


 

   Por fiku iu përgjegj atyre: "A duhet të heq dorë nga ëmbëlsia ime dhe nga fruti im shumë i shijshëm dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".  

 

 


12


 

   Atëherë drurët iu drejtuan hardhisë: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".  

 

 


13


 

   Por hardhia u përgjegj kështu: "A duhet të heq dorë nga vera ime e ëmbël që gëzon Perëndinë dhe njerëzit, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".  

 

 


14


 

   Atëherë tërë drurët i thanë ferrës: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".  

 

 


15


 

   Ferra iu përgjegj me këto fjalë drurëve: "Në rast se doni me të vërtetë të më vajosni si mbret për të sunduar mbi ju, ejani të strehoheni nën hijen time; përndryshe daltë një zjarr nga ferra dhe përpiftë kedrat e Libanit!".  

 

 


16


 

   Por ju nuk u suallët me besnikëri dhe me ndershmëri duke e shpallur mbret Abimelekun, nuk mbajtët një qëndrim të mirë ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij dhe nuk e keni trajtuar siç e meritonte,  

 

 


17


 

   sepse im atë ka luftuar për ju, ka rrezikuar jetën e vet dhe ju ka çliruar nga sundimi i Madianit.  

 

 


18


 

   Kurse sot ju keni ngritur krye kundër shtëpisë së atit tim, keni vrarë të shtatëdhjetë bijtë e tij mbi po atë gur dhe keni shpallur mbret të Sikemitëve Abimelekun, birin e shërbëtores, sepse është vëllai juaj.  

 

 


19


 

   Në rast se sot keni vepruar me besnikëri dhe ndershmëri ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij, atëherë e gëzofshi Abimelekun dhe ai u gëzoftë me ju!  

 

 


20


 

   Por në rast se punët nuk janë kështu, le të dalë nga Abimeleku një zjarr që të gllabërojë banorët e Sikemit dhe shtëpinë e Milos, dhe le të dalë nga banorët e Sikemit dhe nga shtëpitë e Milos një zjarr që të gllabërojë Abimelekun".  

 

 


21


 

   Pastaj Jothemi iku, ia mbathi dhe shkoi të banojë në Beer nga frika e vëllait të tij Abimelek.  

 

 


22


 

   Abimeleku sundoi tre vjet mbi Izraelin.  

 

 


23


 

   Pastaj Perëndia dërgoi një frymë të keq midis Abimelekut dhe banorëve të Sikemit, dhe banorët e Sikemit e tradhtuan Abimelekun,  

 

 


24


 

   me qëllim që dhuna e ushtruar kundër të shtatëdhjetë bijve të Jerubaalit të zgjidhej dhe gjaku i tyre të binte mbi vëllanë e tyre Abimelek, që i kishte vrarë dhe mbi banorët e Sikemit, që e kishin ndihmuar të vriste vëllezërit e tij.  

 

 


25


 

   Banorët e Sikemit vunë njerëz në pritë kundër tij në majën e maleve, dhe këta plaçkitën tërë ata që kalonin në rrugë afër tyre. Abimeleku u informua për këtë.  

 

 


26


 

   Pastaj Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij erdhën dhe u transferuan në Sikem, dhe banorët e Sikemit krijuan besim tek ai.  

 

 


27


 

   Ata dolën në ara, mblodhën rrushin në vreshtat e tyre, e shtypën dhe bënë festë. Pastaj hynë në shtëpinë e zotit të tyre, hëngrën, pinë dhe mallkuan Abimelekun.  

 

 


28


 

   Gaali, bir i Ebedit, tha: "Kush është Abimeleku dhe çfarë përfaqëson Sikemi, pse duhet t`i shërbejmë? A nuk është vallë bir i Jerubaalit, dhe a nuk është Zebuli mëkëmbësi i tij? Më mirë u shërbeni njerëzve të Hamorit atit të Sikemit! Po pse u dashka që ne t`i shërbejmë këtij njeriu?  

 

 


29


 

   Po ta kisha këtë popull nën urdhrat e mia, unë do ta kisha dëbuar Abimelekun!". Pastaj i tha Abimelekut: "Forcoje ushtrinë tënde dhe më dil përpara!".  

 

 


30


 

   Kur Zebuli, qeveritar i qytetit, dëgjoi këto fjalë të Gaalit, birit të Ebedit, u zemërua shumë,  

 

 


31


 

   dhe i dërgoi fshehurazi lajmëtarë Abimelekut për t`i thënë: "Ja, Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij kanë ardhur në Sikem; ata po e ngrenë qytetin kundër teje.  

 

 


32


 

   Prandaj çohu natën, ti dhe njerëzit e tu, dhe zëru pritë në fushë;  

 

 


33


 

   dhe nesër në mëngjes, sa të lindë dielli do të ngrihesh dhe do t`i sulesh qytetit. Kur pastaj Gaali me gjithë njerëzit që janë me të do të dalë kundër teje, ti do t`i bësh atë që beson se është më e përshtatshme".  

 

 


34


 

   Abimeleku dhe tërë njerëzit që ishin me të u ngritën natën dhe zunë një pritë kundër Sikemit, të ndarë në katër grupe.  

 

 


35


 

   Kur Gaali, bir i Ebedit, doli dhe u ndal në hyrjen e portës së qytetit, Abimeleku doli nga prita me gjithë njerëzit që ishin me të.  

 

 


36


 

   Duke i parë ata njerëz, Gaali i tha Zebulit: "Ja, disa njerëz që zbresin nga maja e maleve". Por Zebuli iu përgjegj: "Hijet e maleve të duken ty si njerëz".  

 

 


37


 

   Gaali nisi përsëri të flasë, duke thënë: "Shiko, ka njerëz që zbresin nga majat e lartësive të vendit, dhe një grup tjetër po vjen nga rruga e lisit të shortarëve".  

 

 


38


 

   Atëherë Zebuli i tha: "Ku e ke kapadaillëkun, kur thoje: "Kush është Abimeleku, pse duhet t`i shërbejmë?". A nuk është ky popull që ti përçmoje? Dil, pra, përpara dhe lufto kundër tij!".  

 

 


39


 

   Atëherë Gaali doli në krye të banorëve të Sikemit dhe i nisi betejën kundër Abimelekut.  

 

 


40


 

   Por Abimeleku e ndoqi dhe ai iku me vrap para tij; shumë njerëz ranë për tokë të plagosur për vdekje deri në hyrje të portës.  

 

 


41


 

   Abimeleku u ndal pastaj në Arumah, dhe Zebuli dëboi Gaalin dhe vëllezërit e tij, që nuk qëndruan dot më në Sikem.  

 

 


42


 

   Të nesërmen populli i Sikemit doli nëpër fusha; Abimeleku u informua për këtë.  

 

 


43


 

   Atëherë ai mori njerëzit e tij, i ndau në tre grupe dhe zuri pritë në fusha; kur pa që populli po dilte nga qyteti, ai u hodh kundër tij dhe bëri kërdinë.  

 

 


44


 

   Pastaj Abimeleku dhe njerëzit që ishin me të u sulën përpara dhe zunë hyrjen e portës së qytetit, kurse dy grupet e tjera u sulën mbi tërë ata që ishin nëpër fusha dhe bënë kërdinë.  

 

 


45


 

   Abimeleku e pushtoi me sulm po atë ditë qytetin dhe vrau popullin që gjendej në të; pastaj e sheshoi qytetin dhe aty hodhi kripë.  

 

 


46


 

   Kur të gjithë banorët e kalasë së Sikemit dëgjuan këtë ngjarje, u tërhoqën në kullën kryesore të tempullit të perëndisë Berith.  

 

 


47


 

   Kështu i thanë Abimelekut që tërë banorët e kalasë së Sikemit ishin mbledhur bashkë.  

 

 


48


 

   Atëherë Abimeleku u ngjit në malin Tsalmon, ai vetë bashkë me njerëzit e tij; pastaj Abimeleku kapi një sëpatë, preu degën e një druri, e ngriti dhe e vuri mbi shpatullat e tij; padstaj u tha njerëzve që ishin me të: "Atë që patë që unë bëra, bëjeni shpejt edhe ju!".  

 

 


49


 

   Kështu secili prej tyre preu një degë dhe shkoi pas Abimeleku; i vendosën degët përballë kullës kryesore dhe e dogjën atë. Kështu gjetën vdekjen gjithë njerëzit e kalasë së Sikemit, pothuajse një mijë veta, gra e burra.  

 

 


50


 

   Pastaj Abimeleku shkoi në Thebets, e rrethoi dhe e pushtoi.  

 

 


51


 

   Në mes të qytetit kishte një kullë të fortifikuar, ku ishin strehuar tërë njerëzit e qytetit, gra e burra; u mbyllën brenda dhe hipën mbi çatinë e kullës.  

 

 


52


 

   Kështu Abimeleku arriti në këmbët e kalasë dhe e sulmoi; iu afrua pastaj portës së kalasë për t`i vënë flakën.  

 

 


53


 

   Por një grua hodhi poshtë pjesën e sipërme të një mokre mbi kokën e Abimelekut dhe i theu kafkën.  

 

 


54


 

   Ai thirri menjëherë të riun që i mbante armët dhe i tha: "Nxirre shpatën dhe më vrit, që të mos thonë: "E vrau një grua!"". Kështu i riu e shpoi tejembanë dhe ai vdiq.  

 

 


55


 

   Kur Izraelitët panë që Abimeleku kishte vdekur, secili u kthye në shtëpinë e tij.  

 

 


56


 

   Kështu Perëndia ia shkarkoi Abimelekut të keqen që kishte bërë kundër atit të tij, duke vrarë shtatëdhjetë vëllezërit e tij.  

 

 


57


 

   Perëndia bëri që të binte mbi kokën e njerëzve të Sikemit tërë e keqja e bërë; kështu kundër tyre u realizua mallkimi i Jothamit, birit të Jerubaalit.  

 

 


Gjyqtarët 10

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: