Albanian Bible

1 i Mbretërve 14

1 i Mbretërve

Return to Index

Chapter 15

1


 

   Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, birit të Nebatit, Abijami filloi të mbretërojë mbi Judën.  

 

 


2


 

   Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit.  

 

 


3


 

   Ai kreu mëkatet që i ati kishte bërë para tij dhe zemra e tij nuk iu shenjtërua plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij.  

 

 


4


 

   Megjithatë për dashurinë që ushqente për Davidin, Zoti, Perëndia i tij, i la një llambë në Jeruzalem, dhe e ngriti të birin mbas tij dhe e bëri të qendrueshëm Jeruzalemin,  

 

 


5


 

   sepse Davidi kishte bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe nuk ishte larguar nga ajo që Zoti i kishte urdhëruar të bënte gjatë gjithë kohës së jetës së tij, me përjashtim të rastit të Uriahut, Hiteut.  

 

 


6


 

   Midis Roboamit dhe Jeroboamit pati luftë sa qe gjallë Roboami.  

 

 


7


 

   Pjesa tjetër e bëmave të Abijamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? Pati luftë midis Abijamit dhe Jeroboamit.  

 

 


8


 

   Pastaj Abijamin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa.  

 

 


9


 

   Në vitin e njëzet të mbretërisë së Jeroboamit, mbretit të Izraelit, Asa filloi të mbretërojë në Judë.  

 

 


10


 

   Ai mbretëroi dyzet e një vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit.  

 

 


11


 

   Asa bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu si i ati Davidi.  

 

 


12


 

   Eliminoi nga vendi ata që merreshin me kurvëri të shenjtë dhe tërë idhujtë e krijuar nga etërit e tij.  

 

 


13


 

   Hoqi nga posti i mbretëreshës nënën e tij Maakah, sepse ajo kishte bërë një idhull të neveritshëm të Asherahut; Asa e rrëzoi atë idhull të neveritshëm dhe e dogji pranë përroit Kidron.  

 

 


14


 

   Por vendet e larta nuk u eliminuan; megjithatë zemra e Asas mbeti plotësisht e shenjtëruar Zotit gjatë gjithë jetës së tij.  

 

 


15


 

   Ai solli në shtëpinë e Zotit gjërat e shenjtëruara nga i ati dhe gjërat që ai vetë i kishte shenjtëruar: argjendin, arin dhe enët.  

 

 


16


 

   Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë jetës së tyre.  

 

 


17


 

   Baasha, mbret i Izraelit, doli kundër Judës dhe ndërtoi Ramahun, me qëllim që të pengonte këdo që të shkonte ose të vinte nga Asa, mbret i Judës.  

 

 


18


 

   Atëherë Asa mori tërë argjendin dhe arin që kishte mbetur në thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror dhe ua dorëzoi shërbëtorëve të tij; mbreti Asa i dërgoi pastaj te Ben-Hadadi, bir i Tabrimonit, që ishte bir i Hezionit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, për t`i thënë:  

 

 


19


 

   "Le të ketë aleancë midis teje dhe meje ashtu si ka pasur midis atit tim dhe atit tënd. Ja, unë po të dërgoj një dhuratë ari dhe argjendi; shko dhe prishe aleancën tënde me Baasham, mbretin e Izraelit, me qëllim që ai të tërhiqet nga unë".  

 

 


20


 

   Ben-Hadadi dëgjoi këshillat e mbretit Asa dhe dërgoi komandantët e ushtrisë së tij kundër qytetit të Izraelit; pushtoi Ijoin, Danin, Abel-Beth-Maakahun dhe tërë krahinën e Kinerothit me gjithë vendin e Neftalit.  

 

 


21


 

   Sapo Baasha e mësoi këtë lajm, ndërpreu ndërtimin e Ramahut dhe qëndroi në Tirtsah.  

 

 


22


 

   Atëherë mbreti Asa thirri tërë ata të Judës, pa përjashtuar asnjë; ata morën nga Ramahu gurët dhe lëndën që Baasha kishte përdorur për të ndërtuar, dhe me këto materiale mbreti Asa ndërtoi Geban e Beniaminit dhe Mitspahun.  

 

 


23


 

   Pjesën tjetër të bëmave të Asas, të gjitha trimëritë e tij, të gjitha ato që bëri dhe qytetet që ndërtoi a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? Por në pleqëri ai vuante nga një dhimbje te këmbët.  

 

 


24


 

   Pastaj e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vendin e tij mbretëroi i biri, Jozafati.  

 

 


25


 

   Nadabi, bir i Jeroboamit, filloi të mbretërojë mbi Izrael vitin e dytë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në Izrael dy vjet.  

 

 


26


 

   Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugët e atit të tij dhe mëkatin në të cilin e kishte futur Izraelin.  

 

 


27


 

   Pastaj Baasha, bir i Ahijahut, nga shtëpia e Isakarit, komplotoi kundër tij dhe e vrau në Gibethon që u përkiste Filistejve, ndërsa Nadabi dhe tërë Izraeli kishin rrethuar Gibethonin.  

 

 


28


 

   Baasha e vrau në vitin e tretë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në vend të tij.  

 

 


29


 

   Me t`u bërë mbret, ai shfarosi tërë shtëpinë e Jeroboamit; nga Jeroboami s`la të gjallë asnjë, për e shfarosi krejt shtëpinë e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoit me anë të shërbëtorit të tij Ahijah, Shilonitit,  

 

 


30


 

   për shkak të mëkateve të Jeroboamit, të kryera nga ai dhe që Izraeli i kreu me nxitjen e tij, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit.  

 

 


31


 

   Pjesa tjetër e bëmave të Nadabit dhe të gjitha atë që ai bëri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?  

 

 


32


 

   Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë kohës së jetës së tyre.  

 

 


33


 

   Vitin e tretë të sundimit të Asas, mbretit të Judës, Baasha, bir i Ahijahut, filloi të mbretërojë mbi tërë Izraelin në Tirtsah; dhe mbretëroi njëzet e katër vjet.  

 

 


34


 

   Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe vazhdoi rrugët e Jeroboamit dhe mëkatin që ky e kishte shtyrë Izraelin të kryente.  

 

 


1 i Mbretërve 16

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: