Albanian Bible

2 i Mbretërve 3

2 i Mbretërve

Return to Index

Chapter 4

1


 

   Një grua, bashkëshortja e një dishepulli të profetëve, i thirri Eliseut duke i thënë: "Shërbëtori yt, burri im, vdiq, dhe ti e di që shërbëtori yt kishte frikë nga Zoti; tani huadhënësi ka ardhur  

 

 


2


 

   Eliseu i tha: "Ç`duhet të bëj për ty? Më thuaj, çfarë ke në shtëpi?". Ajo u përgjigj: Shërbëtorja jote nuk ka asgjë në shtëpi përveç një ene të vogël me vaj".  

 

 


3


 

   Atëherë ai i tha: "Shko dhe kërko hua nga gjithë fqinjët e tu disa enë boshe; dhe mos u kërko pak.  

 

 


4


 

   Kur të kthehesh, mbyll portën prapa teje dhe bijve të tu, pastaj derdh vajin në tërë enët, duke vënë mënjanë ato që do të mbushen".  

 

 


5


 

   Ajo u largua prej tij dhe mbylli portën pas vetes dhe të bijve; këta i sillnin enët dhe ajo derdhte vajin në to.  

 

 


6


 

   Kur enët u mbushën, ajo i tha të birit: "Sillmë edhe një enë". Por ai iu përgjigj: "Nuk ka më enë". Dhe vaji u ndal.  

 

 


7


 

   Atëherë ajo shkoi t`ia njoftojë ngjarjen njeriut të Perëndisë, që i tha: "Shko të shesësh vajin dhe paguaj borxhin tënd; me atë që do teprojë, ke për të jetuar ti dhe bijtë e tu".  

 

 


8


 

   Ndodhi që një ditë Eliseu shkoi në Shunem, ku banonte një grua e pasur, dhe kjo e detyroi të hante pak ushqim. Kështu sa herë që ai kalonte andej, shkonte të hante tek ajo.  

 

 


9


 

   Ajo i tha burrit të saj: "Ja, unë jam e sigurt që ai që kalon gjithnjë te neve është një njeri i shenjtë i Perëndisë.  

 

 


10


 

   Të lutem, të ndërtojmë një dhomë të vogël me mur në katin e sipërm dhe të vëmë për të një shtrat, një tryezë, një karrige dhe një shandan; kështu, kur të vijë te ne, mund të rrijë në atë dhomë".  

 

 


11


 

   Një ditë që Eliseu po kalonte andej shkoi në dhomën lart dhe u shtri.  

 

 


12


 

   Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Thirre këtë Shunamite". Ai e thirri dhe ajo u paraqit përpara tij.  

 

 


13


 

   Pastaj Eliseu i tha shërbëtorit të tij: "I thuaj kështu: "Ja, ti ke treguar një kujdes të veçantë për ne; çfarë mund të bëj për ty? A dëshiron t`i them diçka në emrin tënd mbretit apo komandantit të ushtrisë?"". Ajo u përgjigj:  

 

 


14


 

   "Unë jetoj në mes të popullit tim". Atëherë Eliseu i tha: "Çfarë mund të bëj për të?". Gehazi u përgjigj: "Të thuash të vërtetën, ajo nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i vjetër".  

 

 


15


 

   Eliseu i tha: "Thirre!". Ai e thirri dhe ajo u ndal te porta.  

 

 


16


 

   Atëherë Eliseu i tha: "Në këtë stinë, mot, ti do të përqafosh një bir". Ajo u përgjigj: "Jo, imzot; o njeri i Perëndisë, mos e gënje shërbëtoren tënde!".  

 

 


17


 

   Gruaja mbeti me barrë dhe lindi një djalë vitin tjetër, në po atë stinë siç i kishte thënë Eliseu.  

 

 


18


 

   Fëmija u rrit; një ditë që kishte vajtur tek i ati bashkë me korrësit,  

 

 


19


 

   i tha të atit: "Koka ime, koka ime!". I ati urdhëroi shërbëtorin e tij: "Çoje tek e ëma!".  

 

 


20


 

   Ky e mori dhe e çoi tek e ëma. Fëmija qëndroi në prehrin e saj deri në mesditë, pastaj vdiq.  

 

 


21


 

   Atëherë ajo u ngjit, u shtri në shtratin e njeriut të Perëndisë, mbylli portën prapa tij dhe doli.  

 

 


22


 

   Pastaj thirri burrin e saj dhe i tha: "Të lutem, më dërgo një nga shërbëtorët e tu dhe një gomare; po vrapoj te njeriu i Perëndisë dhe po kthehem".  

 

 


23


 

   Ai e pyeti: "Pse dëshiron të shkosh tek ai pikërisht sot? Nuk është as dita e hënës së re, as e shtuna". Ajo u përgjigj: "Çdo gjë do të shkojë mbarë!".  

 

 


24


 

   Pastaj vuri t`i shalojnë gomaren dhe urdhroi shërbëtorin e vet: "Më udhëhiq dhe shko përpara; mos e ngadalëso hapin për mua, veçse po ta urdhërova unë".  

 

 


25


 

   Kështu ajo u nis dhe shkoi te njeriu i Perëndisë, në malin Karmel. Sa e pa njeriu i Perëndisë nga larg, i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Ja, Shunamitja!  

 

 


26


 

   Të lutem, shko ta takosh dhe i thuaj: "A je mirë? A është mirë burri yt? Dhe fëmija a është mirë?"". Ajo u përgjigj: "Janë mirë".  

 

 


27


 

   Kur arriti te njeriu i Perëndisë në mal, i përqafoi këmbët. Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë i tha: "Lëre të qetë, sepse e ka shpirtin të trishtuar, dhe Zoti ma ka fshehur dhe nuk ma ka treguar".  

 

 


28


 

   Ajo tha: "A i kisha kërkuar, vallë një bir zotit tim? A nuk të kisha thënë vallë: "Mos më gënje"?".  

 

 


29


 

   Atëherë Eliseu i tha Gehazit: "Ngjeshe brezin, merr në dorë bastunin tim dhe nisu. Në qoftë se takon ndonjë njeri, mos e përshëndet; dhe në qoftë se dikush të përshëndet, mos iu përgjigj: do ta vendosësh bastunin tim mbi fytyrën e fëmijës".  

 

 


30


 

   E ëma e fëmijës i tha Eliseut: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu Eliseu u ngrit dhe i shkoi pas.  

 

 


31


 

   Gehazi i kishte paraprirë dhe kishte vënë bastunin mbi fytyrën e fëmijës, por nuk pati as zë as përgjigje. Prandaj ai u kthye të takohet me Eliseun dhe i tregoi atë që i kishte ndodhur, duke i thënë: "Fëmija nuk u zgjua".  

 

 


32


 

   Kur Eliseu hyri në shtëpi, e pa fëmijën të vdekur dhe të shtrirë në shtratin e tij.  

 

 


33


 

   Atrëherë ai hyri, mbylli derën pas atyre të dyve dhe iu lut Zotit.  

 

 


34


 

   Pastaj hipi mbi shtratin dhe u shtri mbi fëmijën; vuri gojën e vet mbi gojën e tij, duart e veta mbi duart e tij; u shtri mbi të dhe mishi i fëmijës filloi të ngrohet.  

 

 


35


 

   Pastaj Eliseu u tërhoq prapa dhe shkoi sa andej e këtej nëpër shtëpi; pas kësaj u ngjit përsëri dhe u shtri mbi fëmijën; fëmija teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë.  

 

 


36


 

   Atëherë ai thirri Gehazin dhe i tha: "Thirre Shunamiten". Ai e thirri; kur ajo arriti tek Eliseu, ky i tha: "Merre djalin tënd".  

 

 


37


 

   Ajo hyri dhe u hosh në këmbët e tij, duke u shtrirë për tokë; pastaj mori djalin e saj dhe doli.  

 

 


38


 

   Pasta Eliseu u kthye në Gilgal; kishte rënë zia e bukës në vend. Ndërsa dishepujt e profetëve ishin ulur përpara tij, ai i tha shërbëtorit të tij: "Vër mbi zjarr kusinë e madhe dhe përgatit një supë për dishepujt e profetit".  

 

 


39


 

   Njeri prej tyre që kishte dalë ndër fusha për të mbledhur barëra, gjeti një bimë të egër kacavarëse, prej së cilës mblodhi kolokuintidet dhe mbushi veshjen e tij me to; pastaj u kthye dhe i copëtoi në kusinë e supës, megjithëse nuk e dinte se ç`ishin.  

 

 


40


 

   Pastaj ua zbrazën supën burrave që ta hanin, por ata e provuan dhe thanë: "Vdekja është në kusi, o njeri i Perëndisë", dhe nuk mundën ta hanë.  

 

 


41


 

   Eliseu urdhëroi atëherë: "Më sillni miell". E hodhi në kusi, pastaj tha: "Ua zbrazni njerëzve që ta hanë". Dhe nuk kishte më asgjë të keqe në kusi.  

 

 


42


 

   Erdhi pastaj një njeri nga Baal-Shalila, që i solli njeriut të Perëndisë bukë nga korrja e parë; njëzet bukë prej elbi dhe disa kallinj gruri. Eliseu tha: "Jepjua njerëzve që ta hanë".  

 

 


43


 

   Por shërbëtori i tij u përgjigj: "Si mund ta shtroj këtë përpara njëqind vetave?". Eliseu urdhëroi përsëri: "Jepjua njerëzve që ta hanë, sepse kështu thotë Zoti: "Do të hanë dhe ka për të tepruar"".  

 

 


44


 

   Kështu ai e shtroi para njerëzve, që hëngrën dhe teproi sipas fjalës së Zotit.  

 

 


2 i Mbretërve 5

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: