| Chapter 14 |
1 |
Pastaj Abijahun pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa. Në kohën e tij vendi qe i qetë dhjetë vjet.
|
2 |
Asa bëri atë që ishtë e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij.
|
3 |
Ai hoqi nga vendi altarët e perëndive të huaj dhe vendet e larta, shkatërroi shtyllat e shenjta dhe i bëri copë-copë Asherimët.
|
4 |
Përveç kësaj urdhëroi Judën të kërkojë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, dhe të zbatojë në praktikë ligjin dhe urdhërimet.
|
5 |
Hoqi gjithashtu nga të gjitha qytetet e Judës vendet e larta dhe idhujt; dhe me të mbretëria njohu një periudhë qetësie.
|
6 |
Ai ndërtoi qytete të fortifikuara në Judë, sepse vendi ishte i qetë. Në ato vite nuk pati asnjë luftë kundër tij, sepse Zoti i kishte dhënë qetësi.
|
7 |
Ai u thoshte atyre të Judës: "Le t`i ndërtojmë këto qytete dhe t`i rrethojmë me mure, me kulla, me porta dhe shufra. Vendi është akoma në dispozicionin tonë, sepse kemi kërkuar Zotin, Perëndinë tonë; ne e kemi kërkuar dhe ai na ka dhënë paqe rreth e qark". Kështu ata iu vunë ndërtimit dhe u begatuan.
|
8 |
Asa kishte një ushtri prej treqindmijë njerëzish nga Juda që mbanin ushta dhe mburoja, si dhe dyqind e tetëdhjetë mijë nga Beniamini që mbanin mburoja dhe gjuanin me hark; tërë këta ishin burra të fortë dhe trima.
|
9 |
Kundër tyre doli Zerahu, Etiopasi, me një ushtri prej një milion burrash dhe me treqind qerre dhe arriti deri në Mareshah.
|
10 |
Asa doli atëherë kundër tij dhe u vendosën në rend beteje në luginën e Tsefathahut pranë Mareshahut.
|
11 |
Atëherë Asa i klithi Zotit, Perëndisë të tij, dhe tha: "O Zot, nuk ka njeri veç teje që mund të ndihmojë në luftimet midis një të fuqishmi dhe atij që i mungon forca. Na ndihmo, o Zot, Perëndia ynë, sepse ne mbështetemi te ti dhe dalim kundër kësaj shumice në emrin tënd. O Zot, ti je Perëndia ynë; mos lejo që njeriu të ta kalojë ty!".
|
12 |
Kështu Zoti goditi Etiopasit përpara Asas dhe përpara Judës, dhe Etiopasit ua mbathën këmbëve.
|
13 |
Atëherë Asa dhe njerëzit që ishin me të i ndoqën deri në Gherar. Prandaj Etiopasit u mundën, prej tyre nuk mbeti asnjë i gjallë, sepse ata u shkatërruan përpara Zotit dhe ushtrisë së tij. Dhe ata morën një plaçkë shumë të madhe.
|
14 |
Pastaj sulmuan tërë qytetet rreth e qark Gherarit, sepse tmeri i Zotit i kishte zënë, dhe ata plaçkitën tërë qytetet në të cilat kishte plaçkë të madhe.
|
15 |
Sulmuan gjithashtu vathët e bagëtive dhe morën me vete një numër të madh dhensh dhe devesh. Pastaj u kthyen në Jeruzalem.
|