| Chapter 7 |
1 |
"A nuk kryen vallë një punë të rëndë njeriu mbi tokë dhe ditët e tij a nuk janë si ditët e një argati?
|
2 |
Ashtu si skllavi dëshiron fort hijen dhe ashtu si argati pret mëditjen e tij,
|
3 |
kështu edhe mua më ranë muaj fatkeqësie dhe m`u caktuan net me dhembje.
|
4 |
Sa shtrihem, them: "Kur do të ngrihem?". Por nata është e gjatë dhe jam vazhdimisht i shqetësuar deri në agim.
|
5 |
Mishi im është i mbuluar me krimba dhe me buca dheu, lëkura ime plasaritet dhe është bërë e pështirë.
|
6 |
Ditët e mia janë më të shpejta se masuri i një endësi dhe po harxhohen pa shpresë.
|
7 |
Kujto që jeta ime është një frymë; syri im nuk do të shohë më të mirën.
|
8 |
Syri i atij që më shikon nuk do të më shohë më; sytë e tu do të jenë mbi mua, por unë nuk do të jem më.
|
9 |
Ashtu si reja davaritet dhe nuk duket më, kështu ai që zbret në Sheol nuk kthehet më;
|
10 |
nuk do të kthehet më në shtëpinë e tij, dhe banesa e tij nuk do ta njohë më.
|
11 |
Prandaj nuk do ta mbaj gojën të mbyllur do të flas në ankthin e frymës time; do të ankohem në hidhërimin e shpirtit tim.
|
12 |
A jam vallë deti apo një përbindësh i detit që ti më ruan me një roje?
|
13 |
Kur unë them: "Shtrati im do të më japë një lehtësim, shtroja ime do ta zbusë dhembjen time",
|
14 |
ti më tremb me ëndrra dhe më tmerron me vegime;
|
15 |
kështu shpirtit tim i parapëlqen të mbytet dhe të vdesë se sa të bëjë këtë jetë.
|
16 |
Unë po shpërbëhem; nuk kam për të jetuar gjithnjë; lërmë të qetë; ditët e mia nuk janë veçse një frymë.
|
17 |
Ç`është njeriu që ti ta bësh të madh dhe të kujdesesh për të,
|
18 |
dhe ta vizitosh çdo mëngjes duke e vënë në provë në çdo çast?
|
19 |
Kur do ta heqësh shikimin tënd nga unë dhe do të më lësh të përcjell pështymën time?
|
20 |
Në rast se kam mëkatuar, çfarë të kam bërë ty, o rojtar i njerëzve? Pse më ke bërë objekt të goditjeve të tua, aq sa i jam bërë barrë vetes sime?
|
21 |
Pse nuk i fal shkeljet e mia dhe nuk e kapërcen paudhësinë time? Sepse shpejt do të jem pluhur; ti do të më kërkosh, por unë nuk do të jem më".
|