| Chapter 15 |
1 |
Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:
|
2 |
"Një njeri i urtë a përgjigjet vallë me njohuri të kota, dhe a mbushet me erëra lindore?
|
3 |
Diskuton vallë me ligjërata boshe dhe me fjalë që nuk shërbejnë për asgjë?
|
4 |
Po, ti heq mëshirën dhe eliminon lutjen përpara Perëndisë.
|
5 |
Sepse prapësia jote t`i sugjeron fjalët dhe ti po zgjedh gjuhën e dinakëve.
|
6 |
Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje.
|
7 |
A je ti vallë i pari njeri që ka lindur apo je formuar përpara kodrave?
|
8 |
A e ke dëgjuar ti këshillën sekrete të Perëndisë apo vetëm ti zotëroke diturinë?
|
9 |
Çfarë di ti që ne nuk e dimë, ose çfarë kupton ti që nuk e kuptojmë edhe ne?
|
10 |
Midis nesh ka njerëz flokëbardhë dhe pleq më të thinjur se ati yt.
|
11 |
Të duken gjëra të vogla përdëllimet e Perëndisë dhe fjalët e ëmbla që të drejton ty?
|
12 |
Pse, pra, zemra jote të çon larg dhe pse sytë e tu vetëtijnë,
|
13 |
duke e drejtuar zemërimin tënd kundër Perëndisë dhe duke nxjerrë nga goja jote fjalë të tilla?".
|
14 |
"Ç`është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë?
|
15 |
Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij;
|
16 |
aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë!
|
17 |
Dua të të flas, më dëgjo; do të të tregoj atë që kam parë,
|
18 |
atë që të urtit tregojnë pa fshehur asgjë nga sa kanë dëgjuar prej etërve të tyre,
|
19 |
të cilëve vetëm iu dha ky vend dhe pa praninë e asnjë të huaji në radhët e tyre.
|
20 |
I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara.
|
21 |
Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi.
|
22 |
Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret.
|
23 |
Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij.
|
24 |
Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë,
|
25 |
sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin,
|
26 |
duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza.
|
27 |
Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijet e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt;
|
28 |
ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash.
|
29 |
Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë.
|
30 |
Nuk do të arrijë të çlirohet nga terri, flaka do të thajë lastarët e tij, dhe do të çohet larg nga fryma e gojës së tij.
|
31 |
Të mos mbështetet te kotësia; duke gënjyer veten, sepse kotësia ka për të qenë shpërblimi i tij.
|
32 |
Do të kryhet para kohe, dhe degët e tij nuk do të gjelbërojnë më.
|
33 |
Do të jetë si një hardhi nga e cila merret rrushi ende i papjekur, si ulliri nga i cili shkundet lulja.
|
34 |
Sepse familja e hipokritëve do të jetë shterpë dhe zjarri do të përpijë çadrat e njeriut të korruptuar.
|
35 |
Ata sajojnë paudhësinë dhe shkaktojnë shkatërrimin; në gjirin e tyre bluhet mashtrimi.
|