| Chapter 38 |
1 |
Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:
|
2 |
"Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim?
|
3 |
Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
|
4 |
Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.
|
5 |
Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur?
|
6 |
Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes,
|
7 |
kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi?
|
8 |
Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës,
|
9 |
kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena?
|
10 |
Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta,
|
11 |
dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"?
|
12 |
Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit,
|
13 |
që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij?
|
14 |
Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje.
|
15 |
Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet.
|
16 |
A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës?
|
17 |
Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes?
|
18 |
A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto!
|
19 |
Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij,
|
20 |
që ti të mund t`i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij?
|
21 |
Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh.
|
22 |
Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit
|
23 |
që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?
|
24 |
Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë?
|
25 |
Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve,
|
26 |
që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri,
|
27 |
për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari?
|
28 |
Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës?
|
29 |
Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit?
|
30 |
Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin.
|
31 |
A mund t`i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?
|
32 |
A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj?
|
33 |
A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë?
|
34 |
A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm?
|
35 |
Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?".
|
36 |
Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës?
|
37 |
Kush numëron retë me anë të diturisë, dhe kush derdh shakujt e qiellit
|
38 |
kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre?
|
39 |
A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit,
|
40 |
kur struken në strofkat e tyre apo rrinë në pritë në strukën e tyre?
|
41 |
Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim?
|