| Chapter 44 |
1 |
"Tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im, o Izrael, që unë kam zgjedhur!
|
2 |
Kështu thotë Zoti që të ka bërë dhe të ka formuar që në barkun e nënës, ai që të ndihmon: Mos ki frikë, o Jakob, shërbëtori im, o Jeshurun që unë kam zgjedhur!
|
3 |
Sepse unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje dhe rrëke mbi tokën e thatë; do të derdh Frymën time mbi pasardhësit e tu dhe bekimin tim mbi trashëgimtarët e tu.
|
4 |
Ata do të rriten në mes të barit, si shelgje gjatë rrjedhave ujore.
|
5 |
Njeri do të thotë: "Unë jam i Zotit"; tjetri do të quhet me emrin e Jakobit, dhe një tjetër do të shkruajë mbi dorën e tij: "I Zotit", dhe do ta ketë për nder të mbajë emrin e Izraelit".
|
6 |
Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit dhe Çliruesi i tij, Zoti i ushtrive: "Unë jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk ka Perëndi.
|
7 |
Kush është si unë? Le ta shpallë, pra, ta deklarojë dhe të japë prova para meje që kur kam vendosur këtë popull të lashtë. Le t`u njoftojnë gjërat që do të ndodhin dhe ngjarjet që do të kryhen.
|
8 |
Mos u trembni, mos kini frikë! A nuk ta kam shpallur, vallë, dhe nuk ta kam deklaruar prej kohe? Ju jeni dëshmitarë të mi. A ka vallë një Perëndi përveç meje? Nuk ka Shkëmb tjetër, nuk njoh tjetër të tillë.
|
9 |
Ata që prodhojnë shëmbëlltyra të gdhendura janë krejt kotësi; gjërat e tyre më të çmuara nuk hyjnë fare në punë; dëshmitarët e tyre nuk shohin dhe as nuk kuptojnë gjë, prandaj do të mbulohen me turp.
|
10 |
Kush prodhon një zot apo shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur pa patur fare dobi?
|
11 |
Ja, të gjithë shokët e këtij personi do të shushaten; vetë artizanët nuk janë veçse njerëz. Le të mblidhen të gjithë dhe le të paraqiten. Do të tremben dhe do të turpërohen njëkohësisht.
|
12 |
Kovaçi me darë punon hekurin mbi prush, i jep formë me çekiç dhe e përpunon me krahun e tij të fuqishëm; vuan nga uria dhe forca e tij pakësohet; nuk pi ujë dhe lodhet.
|
13 |
Zdrukthëtari shtrin vizorin, vizaton idhullin me laps, e punon me sqepar, e mat me kompas dhe e bën një fytyrë njerëzore, një formë të bukur njeriu, në mënyrë që të mbetet në një shtëpi.
|
14 |
Ai pret për vete disa kedra, merr një selvi apo një lis që i lë të rriten të fuqishëm midis drurëve të pyllit; ai mbjell një frashër që shiu e bën të rritet.
|
15 |
Ky i shërben njeriut për të djegur; ai merr një pjesë të tij për t`u ngrohur dhe ndez zjarrin për të pjekur bukën; bën gjithashtu një perëndi dhe e adhuron, bën një shëmbëlltyrë të gdhendur para së cilës bie përmbys.
|
16 |
Djeg gjysmën e tij në zjarr, me gjysmën tjetër përgatit mishin, pjek mishin dhe ngopet. Ngrohet gjithashtu dhe thotë: "Ah, po ngrohem, kënaqem me zjarrin".
|
17 |
Me atë që mbetet prej tij sajon një perëndi, shëmbëlltyrën e saj të gdhendur, bie përmbys përpara saj, e adhuron, e lut dhe i thotë: "Shpëtomë, sepse ti je perëndia im".
|
18 |
Nuk dinë dhe nuk kuptojnë asgjë, sepse i kanë zënë sytë e tyre që të mos shohin dhe zemrat e tyre që të mos kuptojnë.
|
19 |
Askush nuk vjen në vete dhe as ka dituri dhe mend për të thënë: "Dogja një pjesë në zjarr, po, mbi prushin e tij poqa bukën, poqa mishin dhe e hëngra. Me atë që mbetet do të bëj një gjë të neveritshme dhe do të bie përmbys përpara një cope druri?".
|
20 |
Një person i tillë ushqehet me hi, zemra e tij e mashtruar e çon në rrugë të keqe. Ai nuk mund të çlirojë shpirtin e tij dhe të thotë: "A nuk është vallë një gënjeshtër ajo që mbaj në dorën time të djathtë?".
|
21 |
"Mbaji mend këto gjëra, o Jakob, o Izrael, sepse ti je shërbëtori im; unë të kam formuar, ti je shërbëtori im; o Izrael, nuk do të të harroj.
|
22 |
I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar".
|
23 |
Ngazëlloni, o qiej, sepse Zoti ka vepruar. Gëzohuni, o thellësi të tokës. Shpërtheni në britma gëzimi, o male, o pyje, me gjithë drurët tuaj! Sepse Zoti ka çliruar Jakobin dhe ka shfaqur lavdinë e tij në Izrael.
|
24 |
Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, ai që të ka formuar që në bark të nënës: "Unë jam Zoti që kam bërë tërë gjërat, që i vetëm, kam shpalosur qiejtë dhe kam shtrirë tokën; kush ishte me mua?
|
25 |
Unë i bëj të kota parashikimet e gënjeshtarëve dhe i bëj shortarët pa mend; unë bëj që të sprapsen njerëzit e urtë dhe e kthej dijen e tyre në marrëzi.
|
26 |
Vërtetoj fjalën e shërbëtorit tim dhe i jap sukses këshillës së lajmëtarëve të mi; unë i them Jeruzalemit: "Do të kesh banorë", dhe qyteteve të Judës: "Do t`ju rindërtojnë", dhe unë do të rindërtoj gërmadhat e tyre.
|
27 |
Unë i them humnerës: "Thahu!"; dhe unë do të thaj lumenjtë e tu.
|
28 |
Them për Kirin: "Ai është bariu im!" dhe do të çojë në vend tërë dëshirat e mia, duke i thënë Jeruzalemit: "Do të rindërtohesh!", dhe tempullit: "Do të jesh i qëndrueshëm!"".
|