| Chapter 53 |
1 |
Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?
|
2 |
Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim.
|
3 |
I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak.
|
4 |
Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur.
|
5 |
Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.
|
6 |
Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.
|
7 |
I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.
|
8 |
U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim?
|
9 |
Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij.
|
10 |
Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.
|
11 |
Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre.
|
12 |
Prandaj do t`i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.
|