| Chapter 13 |
1 |
Kështu më ka thënë Zoti: "Shko të më blesh një brez prej liri dhe vëre mbi ijët e tua, por mos e zhyt në ujë".
|
2 |
Kështu unë bleva brezin, sipas fjalëve të Zotit dhe e vura mbi ijët e mia.
|
3 |
Pastaj fjala e Zotit m`u drejtua për herë të dytë, duke thënë:
|
4 |
"Merr brezin që ke blerë dhe që e ke mbi ijët e tua, çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe aty fshihe në të çarën e një shkëmbi".
|
5 |
Unë shkova dhe e fsheha pranë Eufratit, ashtu si më kishte porositur Zoti.
|
6 |
Mbas shumë ditësh ndodhi që Zoti më tha: "Çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe merr aty brezin që të kisha urdhëruar të fshihje".
|
7 |
Unë shkova në drejtim të Eufratit, gërmova dhe mora brezin nga vendi ku e kisha fshehur. Por brezi ishte kalbur dhe nuk vlente më për asgjë.
|
8 |
Atëherë Zoti më drejtoi fjalën, duke thënë:
|
9 |
"Kështu thotë Zoti: "Në këtë mënyrë unë do të shkatërroj kryelartësinë e Judës dhe kryelartësinë e madhe të Jeruzalemit.
|
10 |
Ky popull i keq, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që ecën kryelartë sipas zemrës së tij dhe u shkon pas perëndive të tjera për tu shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, do të bëhet si ky brez që nuk vlen më për asgjë.
|
11 |
sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës", thotë Zoti, me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmin tim, por nuk deshën të më dëgjojnë"".
|
12 |
"Prandaj ti do t`u thuash atyre këtë fjalë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Çdo poç do të mbushet me verë". Në rast se më vonë do të të thonë: "A nuk e dimë vallë që çdo poç mbushet me verë?",
|
13 |
ti do t`u përgjigjesh atyre: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t`i deh tërë banorët e këtij vendi: mbretërit që ulen në fronin e Davidit, priftërinjtë, profetët dhe tërë banorët e Jeruzalemit.
|
14 |
Do t`i copëtoj njërin kundër tjetrit, etërit dhe bijtë së bashku"", thotë Zoti. "Nuk do të kem mëshirë, nuk do t`i fal, nuk do të kem asnjë dhembshuri që të më pengojë t`i shkatërroj".
|
15 |
Dëgjoni dhe vini veshin: Mos t`ju rritet mendja, sepse Zoti foli.
|
16 |
I jepni lavdi Zotit, Perëndisë tuaj, para se të sjellë terrin dhe para se këmbët tuaja të pengohen në malet e mbështjella në muzg, sepse ndërsa ju prisni dritën, ai e ndërron në hije të vdekjes dhe e ndryshon në errësirë të thellë.
|
17 |
Por në rast se nuk e dëgjoni këtë, shpirti im do të qajë në fshehtësi për shkak të kryelartësisë suaj, sytë e mi do të qajnë parreshtur dhe do të derdhin lot, sepse kopeja e Zotit do të çohet në robëri.
|
18 |
Thuaji mbretit dhe mbretëreshës nënë: "Uluni më poshtë, sepse sundimi juaj, kurora e lavdisë suaj, do të bjerë poshtë".
|
19 |
Qytetet e jugut janë të mbyllura dhe askush nuk do t`i hapë; tërë Juda është çuar në robëri, është çuar e tëra në robëri.
|
20 |
Ngrini sytë tuaj dhe shikoni ata që vijnë nga veriu; ku është kopeja që të ishte besuar, delet e tua të bukura?
|
21 |
Çfarë do të thuash kur të të ndëshkojë? Por ti vetë u ke mësuar atyre të jenë të parët dhe sunduesit e tu. A nuk do të të zënë dhembjet si një grua që është duke lindur?
|
22 |
Dhe në rast se do të thuash në zemrën tënde: "Përse më ndodhin këto gjëra?". Për shkak të përmasës së paudhësisë sate cepat e rrobës sate do të zbulohen dhe thembrat e tua do të duken lakuriq.
|
23 |
A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?
|
24 |
"Prandaj do t`i shpërndaj si byku që e merr era e shkretëtirës.
|
25 |
Ky është fati yt, pjesa që mata për ty", thotë Zoti, "sepse më ke harruar dhe i ke besuar gënjeshtrës.
|
26 |
Prandaj do të ngre edhe unë cepat e rrobës sime mbi fytyrë, në mënyrë që të duket turpi yt.
|
27 |
Kam parë shkeljet e tua të kurorës, hingëllimat e tua, shthurjen e kurvërisë sate, gjërat e neveritshme të kryera në kodra dhe në fusha. Mjerë ti, o Jeruzalem! Për sa kohë akoma do të mbetesh i pëgërë?".
|