| Chapter 16 |
1 |
Fjala e Zotit m`u drejtua, duke thënë:
|
2 |
"Mos merr grua dhe mos ki bij e bija në këtë vend".
|
3 |
Sepse kështu thotë Zoti për bijtë dhe bijat që kanë lindur në këtë vend dhe për nënat që i kanë pjellë dhe për etërit që i kanë zënë në këtë vend:
|
4 |
"Ata do të vdesin nga një vdekje rrëqethëse; nuk do të qahen dhe nuk do të varrosen, por do t`i lënë si pleh mbi faqen e dheut; do të shfarosen nga shpata dhe nga uria, dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës".
|
5 |
Sepse kështu thotë Zoti: "Mos hyni në shtëpinë e zisë dhe mos shkoni për ngushëllime dhe për t`i vajtuar, sepse unë kam hequr nga ky popull paqen time, mirësinë time dhe mëshirën time", thotë Zoti.
|
6 |
"Të mëdhenj dhe të vegjël do të vdesin në këtë vend; nuk do të varrosen as do të mbahet zia për ata, nuk do të bëhen prerje as qethje flokësh për ta.
|
7 |
Nuk do të thyhet buka për ata që mbajnë zi për t`i ngushëlluar për një të vdekur dhe nuk do t`u jepet për të pirë gota e ngushëllimit për atin e tyre dhe nënën e tyre.
|
8 |
Mos hyni as në një shtëpi banketi për t`u ulur bashkë me ta për të ngrënë dhe për të pirë".
|
9 |
Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do të bëj që të pushojë në këtë vend, para syve tuaj dhe në ditët tuaja, britma e gëzimit dhe britma e ngazëllimit, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses.
|
10 |
Dhe ka për të ndodhur që kur t`i shpallësh këtij populli tërë këto gjëra, do të të thonë: "Pse Zoti ka shqiptuar kundër nesh tërë këtë mjerim të madh? Cila është paudhësia jonë? Cili është mëkati që kemi kryer kundër Zotit, Perëndisë tonë?".
|
11 |
Atëherë ti do t`u përgjigjesh atyre: Sepse etërit tuaj më kanë braktisur", thotë Zoti, "kanë shkuar pas perëndive të tjera, u kanë shërbyer dhe kanë rënë përmbys para tyre, më kanë braktisur mua dhe nuk kanë respektuar ligjin tim.
|
12 |
Dhe ju keni vepruar më keq se etërit tuaj, sepse ja, secili vepron sipas kryeneçësisë së zemrës së tij të keqe dhe nuk pranon të më dëgjojë.
|
13 |
Prandaj unë do t`ju dëboj nga ky vend në një vend që as ju, as etërit tuaj nuk keni njohur dhe atje do t`u shërbeni perëndive të tjera ditën e natën, sepse unë nuk do t`ju fal".
|
14 |
"Prandaj ja, po vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat nuk do të thuhet më: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit",
|
15 |
por: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë". Dhe unë do t`i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre.
|
16 |
Ja, unë do të dërgoj një numër të madh peshkatarësh për t`i peshkuar", thotë Zoti, "dhe pastaj do të dërgoj një numër të madh gjahtarësh për t`i gjuajtur në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkëmbinjve.
|
17 |
Sepse sytë e mi janë mbi të gjitha rrugët e tyre, që nuk janë të fshehura nga fytyra ime, dhe paudhësitë e tyre nuk mbeten të fshehura para syve të mi.
|
18 |
Para së gjithash do t`i shpaguaj dyfish për paudhësinë dhe mëkatin e tyre, sepse kanë përdhosur vendin tim me kufomat e idhujve të tyre të neveritshëm dhe e kanë mbushur trashëgiminë time me gjërat e tyre të neveritshme".
|
19 |
O Zot, forca ime, kalaja ime dhe streha ime ditën e fatkeqësisë, te ti do të vijnë kombet nga skajet e tokës dhe do të thonë: "Etërit tanë kanë trashëguar vetëm gënjeshtra, kotësi dhe gjëra që nuk vlejnë asgjë".
|
20 |
"A mundet të shpikë njeriu perëndi, që në të vërtetë nuk janë perëndi?
|
21 |
Prandaj ja, këtë radhë do t`u bëj të njohur atyre, do t`u tregoj dorën time dhe fuqinë time; dhe ata do të mësojnë që emri im është Zoti".
|