| Chapter 38 |
1 |
Shefatiahu bir i Metanit, Gedaliahu bir i Pashhurit, Jukali bir i Pashhurit, Jukali, bir i Shelemiahut, dhe Pashhuri bir i Malkiahut, dëgjuan fjalët që Jeremia i drejtonte tërë popullit, duke thënë:
|
2 |
"Kështu thotë Zoti: Kush do të mbetet në këtë qytet ka për të vdekur nga shpata, nga uria ose nga murtaja, por ai që do t`u dorëzohet Kaldeasve do të jetojë; do të ketë si pre e tij jetën e tij, por do të jetojë".
|
3 |
Kështu thotë Zoti: "Ky qytet do të jepet me siguri në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që do ta pushtojë atë".
|
4 |
Atëherë princat i thanë mbretit: "Ah, le të vritet ky njeri, sepse ligështon duart e njerëzve të luftës që kanë mbetur në këtë qytet, dhe duart e tërë popullit, duke u thënë fjalë të tilla. Ky njeri nuk kërkon mirëqënien e këtij populli, por të keqen e tij".
|
5 |
Atëherë mbreti Sedekia tha: "Ja ku e keni në duart tuaja, sepse mbreti nuk mund të bëjë asgjë kundër jush".
|
6 |
Atëherë e morën Jeremian dhe e hodhën në sternën e Malkiahut, birit të mbretit, që ishte në oborrin e burgut; dhe e zbritën në të Jeremian me litarë. Në sternë nuk kishte ujë, por vetëm baltë, dhe Jeremia u fundos në baltë.
|
7 |
Por Ebed-meleku, Etiopiasi, një eunuk që rrinte në shtëpinë e mbretit, dëgjoi që Jeremian e kishin vënë në sternë. Ndërsa mbreti rrinte ulur te porta e Beniaminit,
|
8 |
Ebed-meleku doli nga shtëpia e mbretit dhe i foli mbretit, duke i thënë:
|
9 |
"O mbret, imzot, këta njerëz kanë vepruar keq në tërë ato që i kanë bërë profetit Jeremia, duke e hedhur në sternë; aty brenda ai do të vdesë nga uria, sepse nuk ka më bukë në qytet".
|
10 |
Atëherë mbreti i dha këtë urdhër Etiopiasit Ebed-melek: "Merr me vete nga këtu tridhjetë burra dhe nxirre jashtë profetin Jeremia nga sterna para se të vdesë".
|
11 |
Kështu Ebed-meleku mori me vete burrat, hyri në shtëpinë e mbretit duke kaluar poshtë vendit të thesarit, mori andej rroba dhe lecka të konsumuara dhe ia zbriti me litarë Jeremias në sternë.
|
12 |
Pastaj Ebed-meleku Etiopiasi i tha Jeremias: "Oh, vëri këto rroba dhe lecka të konsumuara poshtë sqetullave, poshtë litarëve". Jeremia veproi ashtu.
|
13 |
Kështu e tërhoqën lart Jeremian me anë të litarëve dhe e bënë të dalë nga sterna. Pastaj Jeremia mbeti në kopshtin e burgut.
|
14 |
Atëherë mbreti Sedekia dërgoi të marrin profetin Jeremia dhe e bëri të vijë në hyrjen e tretë të shtëpisë të Zotit. Mbreti i tha Jeremias: "Të kërkoj një gjë; mos më fshih asgjë".
|
15 |
Jeremia iu përgjigj Sedekias: "Po të ta them, me siguri nuk do të bësh që të vdes? Dhe në qoftë se pastaj të jap një këshillë, nuk do të ma dëgjosh".
|
16 |
Kështu mbreti Sedekia iu betua fshehurazi Jeremias, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, që na ka dhënë këtë jetë, nuk do të bëj të vdesësh dhe nuk do të dorëzoj në dorën e këtyre njerëzve që kërkojnë jetën tënde".
|
17 |
Atëherë Jeremia i tha Sedekias: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në rast se u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, do të shpëtosh jetën tënde; ky qytet nuk do të digjet dhe ti do të jetosh me shtëpinë tënde;
|
18 |
por në rast se nuk do t`u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, ky qytet do t`u lihet në dorë Kaldeasve që do t`i vënë flakën, dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre".
|
19 |
Mbreti Sedekia i tha Jeremias: "Kam frikë nga Judejtë që kaluan nga ana e Kaldeasve, kam frikë se mos më japin në duart e tyre dhe të më keqtrajtojnë".
|
20 |
Por Jeremia iu përgjigj: "Nuk do të të dorëzojnë në duart e tyre. Oh, dëgjo zërin e Zotit në atë që të them; kështu do të të ecë mbarë dhe do të jetosh.
|
21 |
Por në rast se ti refuzon të dalësh, kjo është ajo që Zoti më ka treguar:
|
22 |
Ja, të gjitha gratë që kanë mbetur në shtëpinë e mbretit të Judës do të çohen te princat e mbretit të Babilonisë dhe do të thonë: "Miqtë e tu të ngushtë të kanë bërë për vete dhe kanë sunduar mbi ty; këmbët e tua janë fundosur në baltë dhe ata të kanë kthyer kurrizin".
|
23 |
Të gjitha bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu do të çohen te Kaldeasit dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre, por do të të zënë dhe do të të dorëzojnë në duart e mbretit të Babilonisë dhe këtij qyteti do t`i vihet zjarri".
|
24 |
Sedekia i tha Jeremias: Askush të mos i dijë këto fjalë dhe ti nuk ke për të vdekur.
|
25 |
Por në rast se princat do të mësojnë që kam folur me ty dhe do të vijnë te ti për të të thënë: "Na njofto çfarë i ke thënë mbretit dhe atë që mbreti të ka thënë ty, mos na fshih asgjë dhe nuk do të të bëjmë të vdesësh",
|
26 |
do t`u përgjigjesh atyre: "I paraqita kërkesën time mbretit, që të mos më kthente në shtëpinë e Jonathanit për të vdekur"".
|
27 |
Tërë princat erdhën te Jeremia dhe e morën në pyetje, por ai u përgjigj duke iu përmbajtur tërë fjalëve që mbreti kishte urdhëruar; prandaj e lanë të qetë, nuk mësuan asgjë nga biseda.
|
28 |
Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut deri ditën që u pushtua Jeruzalemi. Dhe ai ishte atje kur u shti në dorë Jeruzalemi.
|