| Chapter 26 |
1 |
Ndodhi në vitin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, që fjala e Zotit m`u drejtua duke thënë:
|
2 |
"Bir njeriu, duke qenë se Tiro ka folur kundër Jeruzalemit: "Ah, Ah! Porta e popujve është thyer, ajo është drejtuar nga unë; unë do të mbushem tani që ajo është prishur"".
|
3 |
Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Tiro. Do të bëj të ngrihen kundër teje shumë kombe, ashtu si deti bën të ngrihen valët e tij.
|
4 |
Ata do të shkatërrojnë muret e Tiros dhe do të shembin kullat e tij; do të fshij prej tij edhe pluhurin e tij dhe do ta bëj si një shkëmb të zhveshur.
|
5 |
Ai do të jetë një vend për të hedhur rrjetat në mes të detit, sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti; "do të plaçkitet nga kombet;
|
6 |
edhe bijat e tij që janë në fshat do të vriten nga shpata; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".
|
7 |
Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe një shumicë të madhe njerëzish.
|
8 |
Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje kulla, do të ndërtojë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash.
|
9 |
Do të drejtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij.
|
10 |
Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë.
|
11 |
Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rrugët e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen.
|
12 |
Do të grabitin pasuritë e tua, do të plaçkitin mallrat e tua, do të rrëzojnë muret e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe tokën tënde.
|
13 |
Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më.
|
14 |
Do të të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të nderur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti".
|
15 |
Kështu i thotë Zoti, Zoti, Tiros: "Në zhurmën e rënies sate, në rënkimin e të plagosurve për vdekje, në kërdinë që do të bëhet në mes teje, a nuk do të dridhen vallë ishujt?
|
16 |
Atëherë princat e detit do të zbresin nga fronet e tyre, do të heqin mantelet e tyre dhe do të heqin rrobat e tyre të qëndisura; do të vishen me drithërim, do të ulen për tokë, do të dridhen në çdo çast dhe do të jenë të tronditur thellë për ty.
|
17 |
Do të ngrenë një vajtim për ty dhe do të thonë: "Si je zhdukur, ti që ishe banuar nga princat e detit, qytet i famshëm, që ishe aq i fuqishëm në det? Ti dhe banorët e tu u kallje tmerrin gjithë atyre që banonin atje.
|
18 |
Tani ishujt do të dridhen ditën e rënies sate, ishujt e detit do të tmerrohen nga fundi yt"".
|
19 |
Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të të bëj një qytet të shkretë si qytetet që nuk kanë banorë dhe kur të bëj të ngjitet humnera mbi ty dhe ujërat e mëdha të të mbulojnë,
|
20 |
atëherë do të zbresësh me ata që zbresin në gropë, midis popullit të dikurshëm, do të të bëj të rrish në thellësitë e tokës, në vende të shkretuara qysh prej lashtësisë, me ata që zbresin në gropë me qëllim që ti të mos banohesh më, por do të jap shkëlqim mbi tokën e të gjallëve.
|
21 |
Do të bëj një tmerr dhe nuk do të jesh më; do të të kërkojnë, por nuk do të të gjejnë kurrë më", thotë Zoti, Zoti.
|