| Chapter 18 |
1 |
Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij.
|
2 |
Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij.
|
3 |
Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.
|
4 |
Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t`i ndodhte, doli dhe i pyeti: ``Kë kërkoni?``.
|
5 |
Ata iu përgjigjën: ``Jezusin Nazareas``. Jezusi u tha atyre: ``Unë jam!``. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta.
|
6 |
Sapo ai u tha atyre: ``Unë jam``, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.
|
7 |
Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: ``Kë kërkoni?``. Ata thanë: ``Jezusin Nazareas``.
|
8 |
Jezusi u përgjigj: ``Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë``;
|
9 |
që të përmbushej fjala që kishte thënë: ``Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë``.
|
10 |
Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.
|
11 |
Por Jezusi i tha Pjetrit: ``Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?``.
|
12 |
Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.
|
13 |
E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti.
|
14 |
Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.
|
15 |
Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit.
|
16 |
Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri.
|
17 |
Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: ``Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?``. Ai u përgjigj: ``Nuk jam``.
|
18 |
Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.
|
19 |
Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.
|
20 |
Jezusi iu përgjigj: ``Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s`kam thënë asgjë në fshehtësi.
|
21 |
Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç`u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë``.
|
22 |
Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ``Kështu i përgjigjesh kryepriftit?``.
|
23 |
Jezusi i tha: ``Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?``.
|
24 |
Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti.
|
25 |
Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ``Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?``. Ai e mohoi dhe tha: ``Nuk jam``.
|
26 |
Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ``A s`të pashë në kopsht me të?``.
|
27 |
Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli.
|
28 |
Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.
|
29 |
Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: ``Ç`padi sillni kundër këtij njeriu?``.
|
30 |
Ata u përgjigjën dhe i thanë: ``Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar``.
|
31 |
Atëherë Pilati u tha atyre: ``Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj`` Por Judenjtë i thanë: ``Neve nuk na lejohet të vrasim njeri``.
|
32 |
Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç`vdekje duhej të vdiste.
|
33 |
Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ``A je ti mbreti i Judenjve?``.
|
34 |
Jezusi iu përgjigj: ``E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?``.
|
35 |
Pilati iu përgjigj: ``Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?``.
|
36 |
Jezusi u përgjigj: ``Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej``.
|
37 |
Atëherë Pilati i tha: ``Ti, pra, qenke mbret?``. Jezusi u përgjigj: ``Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim``.
|
38 |
Pilati e pyeti: ``Ç`është e vërteta?``. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: ``Unë nuk po gjej në të asnjë faj!
|
39 |
Por ndër ju është zakon që unë t`ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t`ju liroj mbretin e Judenjve?``.
|
40 |
Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: ``Jo këtë, por Barabanë!``. Por Baraba ishte një kusar.
|